Gjithçka nisi si një shaka mes miqsh… Rezultati?! Një këngë e re e
sapoprezantuar në tregun muzikor shqiptar. Albana Osmani provon të
vihet në vendin e atyre që ka prezantuar në skenat muzikore dhe në
ekranin e “Top Channel”, duke bashkëpunuar me Mentor Hazirin, solistin e
grupit kosovar “Kthjellu”.
Simpatike, shtatlartë, dhe e pozicionuar mirë profesionalisht në
ekranin e “Top Channel”,
Albana Osmani është shfaqur në formate të
ndryshme emisionesh, por gjithnjë brenda kuadrit të televizionit.
Ndryshe nga përditshmëria e punës së saj, mes skaleteve të formateve
muzikore, ato për të rinjtë, apo së fundmi edhe “
Fun Club” dedikuar
personazheve të reality show-t “Big Brother Albania”, këtë herë ajo ka
sprovuar veten në një tjetër aspekt, siç është muzika. “I çmendur për
ty” është titulli i këngës që prej disa ditësh gjendet edhe në Youtube,
por vetëm si audio, pasi për videoklipin nevojitet edhe pak kohë deri në
produktin final të tij. Kjo këngë e re vjen si një bashkëpunim mes
miqsh: Albana Osmanit, Mentor Hazirit, solistit të grupit “
Kthjellu”,
teksti është shkruar nga Eneda Tarifa, ndërsa kompozimi mban firmën e
Flor Mumajesit. Vetë Albana, duke rrëfyer për këtë eksperiencë të re,
nuk e fsheh entuziazmin, por as nuk rreket të pranojë se muzika është
ambicia e qenësishme artistike për të.
“Muzika preferencë, por jo ambicie profesionale”
Tentativat e së shkuarës për t’u marrë me muzikën kanë rezultuar
jetëshkurtra. Disa herë i qëlloi të këndonte drejtpërdrejt në formatin
televiziv “E diell” në sfidat muzikore mes skuadrave të personazheve
publikë dhe këngëtarëve profesionistë, por gjithçka mbeti brenda
studiove të “
Top Channel”, pa ndonjë synim të veçantë për t’u marrë me
muzikën. Situata u përsërit edhe në momentin kur, e synuar në kuadrin e
shakasë, si një
orvatje për një eksperiencë ndryshe,
ajo krijoi një këngë me Flor Mumajesin, me titull “My number one”. Por,
pa e kuptuar as vetë, Albana Osmani u gjet përpara ftesës së hapur nga
solisti i grupit kosovar “Kthjellu”, për të realizuar një bashkëpunim
mirëfilli muzikor. “
Ideja e realizimit të këngës nisi që në dhjetor,
periudhë kur unë isha pjesë e rubrikës ‘Famë’ në ‘E diell’. Në këtë
format televiziv garonin skuadrat në dy disiplina, këngë dhe kërcim, e
skuadra ime doli fituese. Mentori ishte pjesë e ‘E Diell’ bashkë me
Rovena Dilon në rubrikën “Dyshet fantastike”. Gjithçka nisi me shaka mes
meje dhe mikut tim,
Mentorit. Më pas Flori Mumajesi që është edhe
kompozitori i këngës, më inkurajoi duke më thënë ‘Ti këndon Albana dhe
bashkë mund të bëjmë një këngë të bukur’. Teksti u realizua nga mikja
ime Eneda Tarifa e kësisoj kënga u realizua me një frymë të madhe
bashkëpunimi mes miqsh të mirë dhe profesionistësh siç janë ata të tre,
që koha i ka vlerësuar”, thotë Albana. Përpjekjet e para deri në
realizimin final të këngës, jo pak herë u shoqëruan me emocione, me
prova të njëpasnjëshme muzikore në studion e Flor Mumajesit, sepse nëse
për Mentor
Hazirin muzika është zgjedhja profesionale e jetës, gjë e
cila e identifikon edhe si një artist të kompletuar, për Albanën muzika
mbetet ende në nivele amatoreske, përjashtuar rastet kur ritmet e saj i
qetësojnë shpirtin dhe gjendjen emocionale sa herë ajo dëgjon muzikë në
makinë, kufje apo në ambientet që frekuenton. Atëherë, natyrshëm lind
pyetja, çne ky interes i beftë i 32-vjeçares për t’u prezantuar edhe si
këngëtare?! “Unë nuk kam asnjë ambicie për t’u bërë këngëtare e
afirmuar. Por, këtë përvojë e cilësoj si iniciativë personale për të
qenë brenda botës së show-t.
Aktualisht, po e shijoj pa fund këtë
moment, si shumë të tjerë që kam përjetuar dhe do të përjetoj në atë çka
ofron bota që zgjodha t’i përkushtohem, ajo e televizionit”, thekson
Osmani.
Një këngë dashurie
Kënga “I çmendur për ty” dhe audio e këtij bashkëpunimi muzikor mes
Albana Osmanit dhe Mentor Harizit ka disa ditë që është bërë pjesë e
sitit elektronik Youtube, dhe deri më tash ka thithur mbi 2 mijë
klikime. Kjo këngë është një dedikim për cilindo që ka përjetuar një
ndjenjë të fortë dashurie të mundur, apo të pamundur qoftë. “
Gjithçka ndodhi kaq shpejt, e besoj se pati impakt shumë pozitiv. Kënga është e
rrymës dance, tipike për sezonin veror, ku plazhet mbipopullohen nga
pushuesit. Ka shumë ritëm në të, ka një tekst të spikatur, për më tepër
është një himn për dashurinë. Nga miqtë e mi, njerëzit që më njohin, apo
edhe pjesëtarët e familjes kam marrë shumë komplimente dhe fjalë të
bukura. Unë vetë ndihem e plotësuar që sprovova veten në një tjetër
zhanër artistik, dhe ndiej se më tërheq pa fund muzika, por sërish kjo
mbetet në cilësinë e një preference individuale, e jo si një zgjedhje
profesionale e të ardhmes. Tanimë, e kam gjetur veten në botën e
televizionit e ndihem më tepër se komode”, vijon Albana Osmani. Teksa i
këndon ndjenjës së dashurisë, ajo tregohet diskrete në detajet mbi
statusin e momentit dhe faktin nëse është në një lidhje dashurie ose jo.
Tani është e përqendruar te kënga e re dhe po shijon suksesin. Edhe pse
këto ditë të nxehta vere janë më intensivet për të. Mes përgatitjeve
serioze për videoklipin e këngës “I çmendur për ty”, ku protagonist do
të jetë
Mentori bashkë me Albanën, për prezantuesen simpatike nevoja për
disa ditë pushime pas mbylljes me sukses të sezonit televiziv, ka
trokitur në derë… E bashkë me të, edhe dëshira për të udhëtuar e për t’u
argëtuar.