Saturday, 16 June 2012

Autobusi bie në greminë në Qafë Krrabë, Vasili: Nuk ka viktima, 9 të plagosur

http://www.balkanweb.com/foto/55456.jpgTIRANE -  Një autobus me 31 pasagjerë ka dalë nga rruga duke rënë në një greminë rreth 10 metra, në Qafën e Krrabës, në aksin Tiranë- Elbasan.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:40, në vendin e njohur si “Qershitë”, ndërsa autobusi me targë LB 31 56, udhëtonte nga Tirana drejt Librazhdit.
Autobusi trasportonte drejt Librazhdit aktivistë të Aleancës Kuq e Zi, të cilët kishin marrë pjesë në Kongresin e Parë të AK-së, që u zhvillua në mesditë në kryeqytet.

Autoritetet konfirmuan se nuk ka viktima, ndërsa të gjithë pasagjerët kanë marrë plagë të lehta në trup. 9 të plagosur u transportuan në spitalin e Elbasanit, 2 prej tyre ndodhen në gjendje më të rëndë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Burime të policisë bëjnë të ditur se dyshohet që një mjet tip Land Rover, me targa të Tiranës, i ka prerë rrugën autobusit, i cili në tentativë për të shmangur përplasjen ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë. Mësohet se edhe drejtuesi i automjetit, Mit'hat Biçaku, është lënduar lehtë.

VASILI: NUK KA VIKTIMA, 9 TE PLAGOSUR
Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili,  9 pasagjerët e plagosur janë transportuar të gjithë në spitalin e Elbasanit, ndërkohë që vetëm njëri prej tyre, Artan Kojku, ka marrë plagë të rënda, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

“Nuk ka viktima, ky është edhe lajmi më i rëndësishëm. Tetë prej tyre janë me plagë të lehta. Njëri është më rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë po trajtohen në spitalin e Elbasanit. Kemi vënë në dispozicion helikopterët tanë, në afërsi të Elbasanit në rast të ndonjë përkeqësimi të mundshëm të situatës.”- u shpreh ministri Vasili, në një lidhje telefonike në NEWS24.

IDENTIFIKOHEN TE PLAGOSURIT
Mësohet identiteti i të plagosurve që ndodhen në spitalin e Elbasanit:
Taulant Muca
Dritan Bozhiqi
Florian Shkurti
Pranvera Sollaku
Altin Alla
Medin Hysa
Olsi Ozuni
Artan Kojku
Fatmir Brazhda (kryetari i Aleancës Kuq e Zi për Librazhdin)

POLICIA E TIRANES: 2 TE PLAGOSUR ME RENDE JASHTE RREZIKUT
Policia e Tiranës konfirmoi se personat e plagosur në aksident janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën.
"Rreth orës 16.50’ të ditës së sotme është marrë informacioni se në aksin rrugor Tiranë- Elbasan, rreth 3 km pa hyrë në qytetin Elbasan, në vendin e quajtur Qershitë, autobusi me targë Lb 3156 A, drejtuar nga shtetasi Mit’hat Biçaku, ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 10 metër poshtë. Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Elbasan për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur 8 nga pasagjerët e këtij autobusi. Të dëmtuarit në këtë aksident janë transportuar drejt ambienteve spitalore dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën, vetëm dy prej tyre kanë pësuar dëmtime më të rënda, por pa rrezik për jetën. Nga strukturat e Policisë së Shtetit të pranishme në vendngjarje aktualisht po punohet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti."- theksohet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

SPAHIU: TE NJEJTAT PAMJE TE 1 MUAJI ME PARE
Drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, mbërriti menjëherë në vendin e quajtur Qershitë, ku u aksidentua autobusi me aktivistë të AK-së. Në një komunikim telefonik me NEWS24, Spahiu bëri të ditur se kishte mësuar nga aktivistët se një makinë i kishte ndërprerë disa herë rrugën autobusit, duke e detyruar të dilte nga rruga.

“Autobusi ka qenë i prenotuar vetem nga aktivistë të Aleancës Kuq e Zi. Janë të njëjtat pamje të një muaji më parë. Besojmë tek forcat e policisë, deri në kapjen e personit që ka provokuar këtë aksident.”- u shpreh Spahiu.

AKSIDENTI TRAGJIK NE 21 MAJ NE HIMARE
Pak javë më parë, një autobus me studente të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ra në një humnerë në Qafën e Vishës në Himarë. Pasojat e aksidentit morën përmasat e një tragjedie, pasi 13 persona humbën jetën ndërsa 26 studente u plagosën rëndë.

Sipas hetimeve të policisë, shkak i aksidentit ishte shpejtësia tej normave dhe mosreagimi në kohë i shoferit të autobusit për të kontrolluar në kthesë shpejtësinë e mjetit. Por familjarët e drejtuesit të autobusit, Pellumb Cela, i cili humbi jetën në aksident, pretendojnë se autobusi nuk ishte në gjendje të mirë teknike.

0 comments:

Post a Comment