Tuesday, 19 June 2012

Këshilla për pushime të shëndetshme

Kur mendojmë plazhin, mendojmë pushime, argëtim, lojra dhe not në det… por jo gjithçka është perfekte. Shpeshherë pushimet shoqërohen edhe me probleme që mund të shkaktojnë pasoja serioze për shëndetin tonë.

Lëkura - Siç dihet lëkura duhet të mbrohet nga dielli pasi rrezet e tij janë dëmtuese, por pushuesit e dëmtojnë lëkurën duke ndenjur nën rreze edhe në orët e drekës dhe kjo gjë sjell plakjen e parakohshme.

Pasoja të tjera të rrezatimit të tepërt sjell dermatologia Eva Jorgaqi: “Duhet të kufizohet medoemos qëndrimi në orët e pikut të diellit 12:00-16:00. Kur ekspozohemi për një kohë të gjatë në rrezatim shfaqet edhe kanceri i lëkurës. Këshillohet të përdoren kremra me numra të ndryshëm. Duhet të lyhemi me krem çdo dy orë.”

Sytë - Moda e syzeve ndryshon çdo vit dhe ne i blejmë pa e ditur nëse janë të përshtatshme për tu përdorur në diell.

Okulisti Klevis Javzxhi tregon rreziqet ndaj të cilëve ekspozohet syri në plazh gjatë verës: “Syzet pa faktorë mbrojtës lejojnë hyrjen e rrezeve të diellit dhe pupila e syrit dëmtohet shumë. Në këtë rast është më mirë mos të mbani syze fare sesa syze pa faktor mbrojtës. Nëse dëmtohen nervat e retinës atëherë kemi të bëjmë me dëmtime të parikuperueshme.”

Okulisti shton: “Ka shumë rëndësi që të jenë të mbuluara sa më shumë pjesë të syrit. Ngjyrat e syzeve nuk duhet të jenë të ndezura sepse janë të dëmshme në diell. Grija dhe kafja janë ngjyrat ideale për syze në verë.”

Fëmijët
- Të parët që mezi presin të vijnë në plazh janë fëmijët. Të jetë për ta qëndrojnë gjithë ditën në det, por prindërit duhet të vendosin kufijtë dhe të tregohen të kujdesshëm ndaj tyre dhe të shmangin oraret e zgjatura në diell.

Këshilla të tjera vijnë nga pediatrja Melinda Agastra: “Duhet të merrni me vete solucione që mbajnë larg mushkonjat, duhet t’i vishni fëmijët me rroba të bardha sepse e bardha redukton thithjen e rrezeve. Duhet të kihet kujdes me higjienën e ujit që konsumon fëmija për të parandaluar infeksionet në rrugët e tretjes, infeksione që në verë janë të shpeshta tek fëmijët.”

0 comments:

Post a Comment