Wednesday, 20 June 2012

Arbër Zeka, modest edhe pas fitores se BB5


Atë e gjen nëpër lokalet e Prishtinës sikurse më parë. Është modest dhe për të shokët e tij thonë se nuk ka ndryshuar edhe pas daljes. Nuk flet shumë për jetën private, përderisa thotë se u kërkon falje adhuruesve të tij nëse ka bërë komente euforike pas daljes nga shtëpia e Big Brother Albania 5.


Fituesin e edicionit të sivjetmë të Big Brother Albania 5, Arbër Zekën e gjen me shoqëri nëpër lokale të ndryshme të Kosovës. Ai nuk ka ndryshuar shumë, përderisa celulari i tij i thjeshtë nuk ndalon së cingëruari. Të gjithë e thërrasin dhe e urojnë për fitoren, përderisa ai vetë thotë se është dyfish i angazhuar pas daljes nga BBA.

Angazhimet kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha, duke marrë parasysh faktin që interesimi i medieve për të ditur gjithçka rreth asaj shtëpie dhe gjithçka rreth lojës time deri të fitimi i çmimit ishte i madh. Por, mediat, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë gjithmonë më kanë telefonuar. Më kanë pritur jashtëzakonisht mirë, më kanë përkrahur tej mase, më urojnë për gjithçka që kam bërë brenda dhe kjo më bën të ndihem krenar”.
Shokët të cilët e shoqërojnë Arbrin thonë se ai nuk ka ndryshuar shumë dhe vazhdon të jetë i njëjti. Ata janë edhe kolegë të punës së tij nga Enti i Statistikave të Kosovës.

“Edhe pasi ka dalë nga ‘Big Brother Albania 5’, Arbri vazhdon të jetë i njëjti, pra nuk ka ndryshuar në kuptimin që mos të na flasë më pasi ka fituar çmimin. Nuk iu ka rrit mendja. Ai vazhdon të jetë i komunikueshëm, i shoqërueshëm ashtu sikurse ka qenë edhe më parë”, thotë Shpend Lala i cili ka punuar me Arbrin për një kohë të gjatë në Entin e Statistikave të Kosovës.
Edhe shoku tjetër i ngushtë i tij, Fidan Thaçi thotë se Arbri nuk ka ndryshuar fare qëkurse ka dalë nga shtëpia.

“Me Arbrin ka kohë që njihemi dhe kryesisht na ka lidhur puna në Ent, ku kemi punuar bashkë një kohë të gjatë. Arbri gjithmonë është shquar për nga mënyra e komunikimit, pak i hedhur, i shkathët dhe batutat e tij që gjithmonë e kanë karakterizuar gjatë kohës sa kemi punuar”, thotë Thaçi.

“S’shoh asnjë ndryshim te Arbri dhe ai vazhdon të jetë i njëjti, madje tashmë është edhe më modest, është edhe më i hapur me njerëz që takohet në rrugë”.
Nga ana tjetër, vetë Arbri flet për marrëdhëniet e tij me banorët, sidomos me Liamin me të cilin ka pasur polemika, por kanë qenë edhe shokë.

“Që nga koha që ka përfunduar emisioni i së dielës nuk e kisha pasur numrin e kontaktit të Liamit dhe e gjeta dhe gjatë javës që lamë bisedova më të. Na ka ngelur një kontakt dhe unë i uroj gjithë të mirat në jetë dhe shoqëria jonë do të vazhdojë nga tash e tutje të jetë si më parë. Na ka ngelur një kontakt dhe i uroj të gjithë të mira dhe do të vazhdojë shoqëria jonë si ka qenë më parë”.

Arbri ka folur edhe për komentet e tij menjëherë pas daljes nga shtëpia. Ai thotë se ndoshta është ngutur paksa në komente.
“Andaj, kërkoj ndjesë për disa komente paksa euforike, sepse jam ngutur në disa raste dhe për këtë kërkoj ndjesë…, kanë qenë paksa të nxituara dhe i kërkoj ndjesë edhe Liamit edhe lexuesve dhe shikuesve për euforizmin tim”.

Duke folur për qëndrimin në shtëpi për javë të tëra, Arbri thotë se është një gjë shumë e rëndë. “Vetë fakti që je i mbyllur me njerëz që nuk i ke njohur, me persona që nuk i njeh dhe në të njëjtën kohë i ke konkurrentë, atëherë kuptohet që është stresues. Je i rrethuar me qindra kamera dhe normalisht duhet të mendosh vazhdimisht që mos të humbësh origjinalitetin tënd”, thotë ai.

Kur pyetet për atë se si para se të hynte në shtëpi a ka menduar që nuk do të fitonte atë për shkak se konkurrentët e tjerë kishin thënë se kosovarët s’mund ta fitojnë këtë spektakël, ai thotë se është fut në BBA me mendimin se nuk ka rëndësi nga je dhe kush je – po loja që bën.

“Jam fut me të menduarit se nuk ka rëndësi nga vjen. Është origjinaliteti jem dhe kam dëshmuar që jam lojtar i mirë. Ka qenë dedikim për prindërit e mi dhe pavarësisht momenteve të këqija që kam pasur, e kam përballuar presionin ndonjëherë dhe kam ruajtur qetësinë. Nuk i kam dëgjuar paragjykimet”.
Ai thotë se nuk është mirë që shqiptarët të kenë paragjykime ndaj njëri-tjetrit.

“Nuk mendoj që duhet të ketë paragjykime për shqiptarët. E rëndësishme është që të prezantohesh në mënyrë të denjë. Si në Kosovë dhe Shqipëri kanë votuar për mua dhe unë i falënderoj për përkrahjen”.
Kur pyetet për të ardhmen, ai thotë se ka dëshirë të punojë në ndonjë media. “Është dëshirë e imja me qenë pjesë e një mediumi dhe nëse vazhdoj menjëherë me televizion, nuk besoj që mund të kem sukses. Nuk e di çka do të ndodhë dhe nuk kam ofertë, por do të kërkoj vetë nëpër dyer të medieve dhe nëse është diçka e mirë, punë e mirë, do ta pranoj”.

0 comments:

Post a Comment