Monday, 4 June 2012

Genta: Kam marrë ftesë nga PS për t’u angazhuar në politikë

 http://gazetashqip.info/wp-content/uploads/2012/06/220.jpg

“Kam oratori, do jem në politikë dhe televizion, tek “Portokallia”
Tani do të jetojë në Tiranë, qëllimi kryesor për të cilin ajo hyri në “Big Brother 5”. Edhe pse ishte në lojë, Vëllai i Madh nuk e la në terr informativ se çfar po ndodhte me imazhin e saj jashtë lojës, të paktën pas publikimit e fotove të saj intime që bënë xhiron e zhurmshme në të gjitha gazetat rozë dhe sitet e ndryshme në internet. Tashmë që loja e “Big Brother 5” ka mbaruar, Genta Gjalpi, vajza e ardhur nga Babani i Devollit, është përballur me jetën reale. Në këtë intervistë të saj të parë për gazetën “Panorama”, ajo tregon të vërtetën e saj për fotot skandaloze, çfarë ka vendosur me dy djemtë që u komentua se kishte lidhje intime, dhe ofertat që ka marrë për t’i hyrë politikës, dhe po ashtu për t’u bërë pjesë e botës së televizionit.
Tashmë BB5 ka mbaruar dhe ti arrite të prekje finalen, por nuk munde të fitoje. Ishe për Arbrin si fitues i BB5?
Të them të drejtën, jo se nuk isha, por nuk e prisja që të fitonte Arbri, pasi personalisht isha mes Liamit dhe Ermalit. Kisha dëshirë të fitonte Ermali se e kam pasur afër gjatë gjithë bashkëjetesës sonë në BB5, ndërsa Liami mendoj se ka qenë shumë aktiv, dhe përderisa arriti në finale unë mendoja se ai e meritonte fitoren.
Ti ishe e vetmja banore e BB5 që komentove për disa foto intime që u botuan nga shtypi rozë ndërsa ishe në lojë. I ke parë gazetat dhe çfarë komentesh ke marrë tashmë që ke dalë nga loja?
Unë nuk kam dashur t’i shoh fotot apo gazetat ku janë botuar, dhe nuk më intereson aspak pasi unë jam në dijeni të tyre, dhe e di çfarë fotosh janë. Por të paktën jam e qetë që nga njerëzit që takoj përditë nuk kam marrë komente të këqija, dhe nuk besoj se më kanë marrë inat. Gjatë këtyre ditëve që kam dalë, të gjithë më përqafojnë, dhe të them të drejtën nuk e kam ndier aspak peshën e opinionit të krijuar nga publikimi i tyre.
Ende nuk je kthyer në fshatin ku jeton, Baban, për të takuar fansat e tu. Mendon se atje do të të paragjykojnë?
Nuk e di, pasi sot do udhëtoj drejt Babanit për herë të parë pas daljes nga loja. Në telefon më kanë thënë që mezi po më presin dhe më kanë rezervuar një surprizë. Kur të shkoj, do kuptoj më shumë…
Vazhdon të jesh e vendosur se ato janë publikuar nga ish- i dashuri yt Rubensi, për t’u hakmarrë ndaj teje pas ndarjes?
Po, dhe jam e bindur për këtë. Ato foto i kishte vetëm ai, dhe laptopin tim unë nuk e kisha lënë tek një shoqe siç ai është shprehur, por ia kisha lënë vëllait tim. Fotot i ka pasur vetëm Rubensi, dhe në momentin që u ndamë ai më tha që të mos trembesha se i kishte fshirë nga kompjuteri i tij, por ja që s’i kishte fshirë dhe i përdori kundër meje.
Si ndodhi që ti i realizove ato foto, ishte një dëshirë e jotja apo imponim nga ai?
I kam realizuar thjesht për qejf. Pjesë e fotove ka qenë dhe Rubensi, po ai s‘i ka nxjerrë ato ku ka qenë edhe vetë, pasi qëllimi ka qenë vetëm të më bëjë keq mua.
Dhe çfarë ndodhi pas daljes sate nga shtëpia, ke kërkuar ta takosh?
Jo unë personalisht, por njerëzit e mi kanë kërkuar ta takojnë por ai është zhdukur dhe s’kanë mundur dot.
Cili është qëllimi i takimit, ke plan për një rikthim në lidhjen tuaj?
Jo, përkundrazi. Ne kemi qenë të ndarë para hyrjes sime në BB5 dhe do vazhdojmë të jemi të ndarë. Unë kam shkëputur çdo lloj marrëdhënieje me të. E kam përmendur Rubensin vazhdimisht në lojë se e kam dashur, dhe po ashtu më ka dashur. Ndërkohë që mendoj se ai më do akoma, por tashmë s’ka rëndësi kjo pas atyre që kanë ndodhur.
Mos ndoshta arsyeja e kësaj tërheqjeje nga ana jote është Melsoni, një djalë që ka deklaruar në media lidhjen me ty? Ç’mund të thuash?
Jo, Melsoni është vetëm shoku im. Unë jam habitur madje nga deklaratat e tij se unë s’ kam asnjë lidhje me atë person. Faleminderit nga ana e tij që ka pohuar se do të fejohet me mua, por s’kam punë me të. Me Melsonin jam takuar rastësisht një ditë pasi dola nga loja, dhe më shpjegoi se arsyeja e shkrimeve në media ishin të më dilte krah si mik pas opinionit të krijuar nga publikimi i fotove.
Domethënë, ti nuk do jesh as me Rubensin as me Melsonin tani e tutje?
As me njërin, as me tjetrin. Besoj se në të ardhmen do jem me një djalë tjetër.
Dhe si do ndryshojë jeta jote tani e tutje?
Patjetër që jeta ime ka filluar të ndryshojë. Që në momentin që del nga ajo lojë, gjithçka ndryshon. Unë kam menduar të shpërngulem përgjithnjë në Tiranë, pasi kam marrë oferta të ndryshme për punë, që mendoj se do më ndryshojnë jetën.
Çfarë ofertash ke marrë, mund të tregosh më shumë?
Këto ditë kam marrë disa oferta për të hyrë në politikë, më konkretisht nga Partia Socialiste, pasi dhe bindjet e mia i takojnë kësaj partie. Mendoj që do mund të arrij diçka për faktin se kam oratorinë, që s’më lë kurrë në baltë.
Ti po ashtu ke shprehur ambicien për t’i hyrë televizionit. Beson vërtet në këtë ëndërr?
Unë të ardhmen time e shoh mes politikës dhe televizionit. Kur dola nga loja, më kanë ardhur fjalë se për mua është menduar një rol në sezonin e ri të spektaklit “Portokalli”. Le të shpresojmë.

0 comments:

Post a Comment