Friday, 29 June 2012

Breshëri plumbash nga Lazarati, banorët përreth në panik

GJIROKASTER – Zhurma e armëve nga Lazarati shoqëron çdo natë banorët përreth zonës problematike. Breshëritë e armëve nisin pak para mesnate, për të vijuar deri në orët e para të mëngjesit.

E përcaktuar si një zonë ku mbretëron karteli i drogës, pas goditjeve të fundit nga policia banorët e këtij fshati kanë vendosur të mos lejojnë sërish futjen e forcave të rendit në zonë.

Disa Grupe te xhirimit te televizioneve kombetare kan vëzhguar situatën nga një kodër, që prej orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme e deri ne orën 2.30 të mëngjesit të sotëm. Breshëritë e armëve kallashnikov duket se vinin nga të gjithë cepat e fshatit.

Të rrezikuar nga kjo situatë janë veçanërisht banorët e lagjes periferike “Zinxhira” në Gjirokastër, të cilët në panik deklarojnë se disa prej plumbave kanë përfunduar në muret dhe depozitat e banesave të tyre.

Por të qenit në një zonë të vogël, sjell stepjen e këtyre banorëve, të cilët refuzojnë edhe fotografimin e plumbave në banesat e tyre.

Përballë kësaj situate, nga policia e Gjirokastrës bëhet e ditur se forca të kësaj policie hyjnë çdo natë në fshat, ndërsa mohojnë të shtënat e armëve.

Burime zyrtare të policisë deklarojnë se nuk ka mbërritur asnjë telefonatë shqetësuese lidhur me të shtëna armësh, në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë. Kjo situatë është bërë e përditshme, që pas futjes për herë të parë, pas disa vitesh, në fshatin Lazarat të forcave RENEA, një javë më parë, duke arrestuar njërin nga banoret e kësaj zone, për kultivim të rreth 600 rrënjëve me kanabis sativa.

0 comments:

Post a Comment