Thursday, 14 June 2012

Just Ciljeta


Planet e vjetra për ngritjen e një biznesi dhe karriera politike. Mospjesëmarrja në Top Fest dhe klipi i ri që do të promovojë këtë verë më Noizy-n. Marrëdhënia me Greta Koçin dhe e ardhmja në politikë sipas Çiljeta Xhilagës.

Do ta kishte bërë këtë punë tre vjet më herët sikur të mos kishte qenë politika, këngët dhe koncertet. Meqë vetë është e thekur për pak shoping dhe çdo herë që gjendet përballë një fustani, çante apo këpucësh që e lënë pa frymë nuk e mendon portofolin, nuk i është dashur të lodhet edhe aq për ta zgjedhur llojin e biznesit që do të donte të kishte: një dyqan rrobash firmato është pikërisht ai që i duhet. Me këtë rast shpëton veten për së pari, por edhe fiton para. Për më tepër që nuk është as e para dhe as e fundit që duke shfrytëzuar imazhin dhe emrin, një rrugë të njohur për dyqane të shumëllojshme dhe të shkelur nga femra të dhëna pas blerjeve si ajo, një ceremoni inagurimi siç ia do rasti dhe vendi, pret t’i marrë më të mirën kësaj pune. Tre vjetët e projektit të saj kanë qenë mjaftueshëm të gjatë që Çiljeta Xhilaga të mos e shtynte më hapjen e dyqanit të ëndërruar.

Këto ditë Çili është tërhequr pothuaj nga të gjitha punët: nuk e ndoqi finalet e Top Festit për të mos i dalë nga fjala një mikeshës së saj, e cila e priste në ceremoninë e vet të martesës; pasi ka përfunduar regjistrimin e këngës së re e ka shtyrë datën e realizimit të klipit për pak më vonë; ka marrë disa ditë pushimi nga politika, por edhe nga koncertet. Vështirë të përgjigjet në telefon dhe po aq të sigurosh një takim të shpejtë me të. Nga mëngjesi në mbrëmje e gjen tek “Myslym Shyri”, në pjesën më të populluar të saj, ndërsa jep e merr në telefon për tabelën e reklamës, gërmën e zgjedhur për ta shkruar, ndriçimin e brendshëm dhe të jashtëm, arredimin, manekinët, pasqyrat e çdo gjë tjetër që i duhet dyqanit të saj të shkëlqejë e dallohet që larg.
“Pfff, jam e shpëreqendruar këto ditë sepse akoma nuk ka mbërritur tabela e emrit të dyqanit, mbase vonohet dhe kjo më shtyn të gjitha punët”, thotë këngëtarja shkujdesur, ndërsa kërkon një vend ku të ulet. Është e veshur sportive, me këpucë të sheshta dhe xhinse të ngushta, flokët e mbledhur pas kokës (ka lënë një takim me parukieren sepse nuk mund ta zgjasë më shumë), dhe pa pikën e tualetit në fytyrë. I duhet një kafe tani, shpejt e shpejt, të mbledhë mendjen dhe forcat për të parë se çfarë ka shënuar në bllokun e punës për mbasditen e kësaj dite. “Nuk është e lehtë sigurisht të hapësh nga e para një biznes, por unë e kam me qejf dhe shumë shpejt do të bëj inagurimin. Për më tepër që është diçka që e dua dhe që do të më shërbejë, po aq sa klientëve, edhe mua”, shton duke buzëqeshur. Në fakt këtë, Çiljeta, nuk e ka për herë të parë. Përkundrazi. Mund të jetë nga të parat vajza të ekranit që emrin e vet e ka gdhendur në tabelën e një biznesi, gjithashtu femëror, shumë vite me parë, veçse atëhere në krah kishte edhe të ëmën. Dikur ato të dyja hapen një sallon parukerie, Çiljeta u angazhua me emrin dhe imazhin e vet, ndërsa e ëma, Majlinda, si parukiere dhe estetiste. Salloni i tyre vazhdon të punojë sot e gjithë ditën, por aty ish-misi ndalet vetëm në mëngjes, para se të fillojë ditën (është pranë shtëpisë së tyre), ose kur i duhet një shërbim i shpejtë në prag të ndonjë turi koncertesh apo udhëtimi për diku. Ndryshe nga vite më parë, tani kësaj pune ajo i ka hyrë pa të ëmën, por ama me mbështetjen e një kushërirës së saj që jeton në Itali. Është ajo që ia ka siguruar kontaktet dhe mbi të gjitha burimet e mallrave që pritet gjithashtu të vijnë këto ditë, për të cilat Çili thotë se ka për të gjithë, femra meshkuj dhe fëmijë, me çmime të përballueshme dhe mbi të gjitha me etiketa të lakmuara, D&G, Galliano, Versaçe, Armani, AKE etj. E meqë është kështu afërmendsh që Çiljeta do ta ndjekë nga afër mbarëvajtjen e dyqanit të saj. Nuk është se do t’i vërë vetëm emrin e vet, “Just Çiljeta”, dhe të merret me të përditshmen pa e vrarë mendjen me gjatë. Do të jetë njësoj e pranishme edhe në ekranet muzikore, edhe në koncerte, por edhe në politikë, për të cilën ca muaj të shkuar u përfol se nuk i kishte punët edhe aq mirë.
“Kam tre vjet që e kam në plan, por punët dhe angazhimet nuk më kishin lënë deri tani hapësirën e duhur t’i futesha siç duhej kësaj pune”, i rikthehet temës së dyqanit, pasi ka rrufitur gllënjkën e parë të kafesë dhe ka kthyer një përgjgije me sms në celular. “Me këtë rast shpëtoj edhe veten”, shton e sigurtë pasi ka siguruar për cilësinë e mallit, i cili do të vijë në mënyrë të vazhdueshme nga Rimini, atje ku jeton kushërira e 27 vjeçares. Pasi të ketë dhënë me parë miratimin ajo sigurisht. E ka zgjedhur vetë pjesën e parë të veshjeve që do të reklamojë ditën që do të hapë dyert dhe do të vazhdojë të udhëtojë shpesh drejt Italisë për çdo sezon apo tendencë të re. “M’i ka siguruar ajo lidhjet me agjentët e këtyre firmave, pasi kam marrë miratimin se edhe çmimet do të jenë jo stratosferike, por të përshtatshme për llojin e mallit, por edhe fuqinë blerëse këtu”. Kaq janë llogaritë që ka bërë Çiljeta, e cila nuk është se e ka vrarë ndonjëherë mendjen se si do t’ia bëjë me konkurencën, jo vetëm me dyqanet ngjitur dhe përballë, por edhe me të tjerë që kolege të saj, gjithashtu emra të njohur, që kanë kohë që praktikojnë të njëjtën gjë, me veshje, këpucë të markës apo stilime të tyret. “Për çdo rast është emri që jep garanci”, thotë ajo. “Unë di të flas për mallrat që do të jenë këtu, të tjerat pastaj do t’i shohim gjatë rrugës”.

Me emrin do të “luajë” edhe Çiljeta, qysh në hyrje të dyqanit, ditën e inagurimit të të cilit (nuk e ka vendosur ende), ka planifikuar një festë të madhe me miq, të cilët gjithashtu janë emra të njohur, çka garantojnë në të njëjtën kohë edhe reklamën. Veçse lidhja e saj me biznesin fillon dhe mbaron këtu. Vështirë të ndodhë që këngëtarja të bëhet robinjë e shifrave, bilanceve, mbledhjes së xhiros mujore dhe zbritjes së kostove. Për këto do të mendojë tjetër kush. Çiljeta thjeshtë do t’i gëzohet këtij biznesi dhe do të mendojë për performancën në lartësinë e duhur të tij, pa i hyrë në hak asnjë angazhimi tjetër që ka, falë të cilave ka edhe emrin.

“Ja për shembull asgjë nuk më ndaloi të shkoja në Meksikë ku martohej një shoqja ime dhe më kishte ftuar prej kohësh”, thotë ajo. Nuk e ndaloi as finalja e edicionit të 9-të të Top Fest-it, për të cilën duhet thënë se mbetën jashtë shumë emra këngëtarësh që ishin përgatitur të bëheshin pjesë e tij dhe që nuk e fshehën pakënaqësinë edhe publikisht. Çili i la të gjitha dhe u “zhduk” për disa ditë e menjëherë pas kthimit u mbyll në punën e saj të re, pa i dhënë rëndësi as përzgjedhjes e as fituesve të këtij festivali.
“Pastaj nuk është se kam edhe kaq shumë kohë në dispozicion”, shton. Është prag vere dhe tradita nuk duhet prishur as këtë vit, qoftë edhe me një biznes të ri në prag inagurimi. Duhet një këngë e re ritmike dhe sidomos një klip për t’i siguruar vetes angazhimet e stinës së nxehtë, koncertet dhe pjesëmarrjet nëpër ture të ndryshme përgjatë bregdetit. “Kënga ka kohë që është gati. Është mbyllur procesi i punës në studio, orkestrimi dhe regjistrimi. Ka mbetur vetëm të ndajmë datën për të nisur punën për regjistrimin e klipit”. Bëhet fjalë për një tjetër bashkëpunim, kësaj here me Noizy-n, për një këngë regaton me motive latine e realizuar nga Elgit Doda. “Është një klip vere sigurisht dhe jam e sigurtë se do të pëlqehet”. Por ashtu si për inagurimin e dyqanit, edhe për klipin akoma nuk e ka caktuar datën e regjistrimit të tij. E vetmja gjë që di të thotë me siguri është se do të ndodhë menjëherë pasi të ketë bërë ceremoninë e inagurimit dhe të jetë qetësuar nga ky angazhim që duket se po zgjat pak më shumë se parashikimi.
Por që sidoqoftë nuk mund t’ia përmbysë asesi planet përderisa tani shpejt Çiljeta nuk planifikon të angazhohet me diçka më të madhe, siç mund të jetë fjala vjen sektori i politikës. Kjo, vërtetë është kohë fushate, por jo nga ato me të cilat këngëtarja përfshihet zakonisht dhe, të paktën këto ditë, brenda partisë nuk ka ndonjë aktivitet në të cilin ajo mund të jetë pjesë. Kjo sqaron në të njëjtën kohë edhe shumë fjalë të thëna lart e poshtë pas zgjedhjes së Greta Koçit si nënkryetare të FRPDSH-së. Dalja e papritur e Gretës në skenën politike i hapi rrugë shumë thashethemeve sipas të cilave Çiljetës i ishin lëkundur themelet si e preferuar aty dhe se konkurenca dukej të ishte e fortë mes të dy vajzave. “Nuk arrij të kuptoj se ç’lidhje ka kjo në fakt. Në Partinë Demokratike mund të angazhohen shumë këngëtarë dhe secili ka rolin e tij”, thotë ajo duke ngritur supet. Shton se përfshirja e saj në PD-së është ajo që ka qenë gjithmonë, pa lëkundje e as ndonjë forcim të mëtejshëm të rolit të saj. Në të njëjta pozita mbetet edhe ambicja e Çiljetës, e cila betohet se do të mbetet “demokratë e flaktë” dhe se asgjë nuk mund ta ndryshojë bindjen e vet politike. Aktualisht vazhdon të jetë anëtare e Këshillit Kombëtar e zgjedhur dy vjet të shkuara me 502 vota. Ndjek rregullisht mbledhjet dhe i gëzohet të njëjtave miqësive që ka brenda partisë, siç i ka pasur gjithmonë. Pra asgjë nga ato që janë thënë për ftohje me krerët, përfshirë edhe Berishën, nuk është e vërtetë sipas Çiljetës. Aq më pak në marrëdhënia me kolegen e saj, Gretën, që ndërkohë është qind për qind e angazhuar në grumbullimet e rinisë demokratike nëpër Shqipëri. “Edhe me Gretën kam marrëdhënie shumë të mira, si kolege dhe si shoqe. Unë nuk kam një angazhim të tillë në parti sepse kam pasur edhe projekte të tjera të miat, por kjo nuk do të thotë se ardhja e Gretës ka pasur lidhje me mua”. Kështu ngre supet edhe përballë pyetjes nëse dalja e papritur e Greta Koçit në drejtim të FRPDSH-së ia ka tunduar ambicjen për të bërë edhe ajo diçka të ngjashme, në mos aty, në një drejtim tjetër brenda strukturave të PD-së. Nuk ka ende plane për këtë dhe mbase i mjafton fakti se është brenda strukturave të partisë dhe çdo herë kur është rasti i nevojshëm e bën siç duhet punën e saj. Për më vonë nuk i dihet. Ndoshta edhe partisë do t’i vijë koha, siç i erdhi biznesit.

0 comments:

Post a Comment