Berisha viziton vendin ku ndodhi aksidenti në Himarë dhe vendos një buqetë me lule, në nderim të 13 qytetarëve që humbën jetën
Momente prekëse për shumë njerëz sot pasdite në rrugën Vlorë-Himarë, ku vendi i tragjedisë së muajit maj u mbush plot me lule në nderim të viktimave të tragjedisë rrugore ku humbën jetën 11 vajza studente, një djalë dhe shoferi i autobusit të vdekjes.
Kryeministri Berisha ishte edhe ai në Himarë dhe u ndal e vendosi një buqetë me lule në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik, raporton noa.al. Ai u përul në nderim të viktimave të kësaj tragjedie, që trishtoi zemrën e çdo shqiptari. Në foto ju po shikoni momente nga vendosja e luleve.
Gjithashtu, Kryeministri zhvilloi një takim me autoritetet lokale të Bashkisë së Himarës, Kryetarin e Këshillit të Qarkut të Vlorës, z. Anesti Dhimojani dhe mjekun e Spitalit të Himarës, Spiro Guta, për t’i falënderuar ata, të cilët, së bashku me shumë qytetarë të zonës, dhanë ndihmën e parë për të shpëtuar të plagosurit e aksidentit tragjik të ndodhur disa ditë më parë në Himarë.
Kryeministri i shprehu mjekut Guta, ekipit të tij mjekësor, strukturave dhe qytetarëve të Himarës, falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë të të gjithë shqiptarëve për reagimin e shpejtë, ndihmën eficente dhe të përgjegjshme që ata bënë, reagim, siç theksoi Kryeministri, i cili shpëtoi shumë jetë, sepse nëse nuk do ishte ajo ndihmë e parë, ajo nxjerrje nga rrënojat e autobusit, ndoshta jetë të tjera do kishin humbur.
“Dua t’ju shpreh edhe njëherë falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë të të gjithë shqiptarëve, për reagimin e shpejtë, eficent, njerëzor, të përgjegjshëm që bënë qytetarët e Himarës ndaj asaj tragjedie shokuese për të gjithë shqiptarët, reagim i cili shpëtoi shumë jetë, sepse nëse nuk do ishte ajo ndihmë e parë, ajo nxjerrje nga rrënojat e autobusit, ndoshta jetë të tjera do kishim humbur. Edhe ju keni bërë punë shumë të madhe, mjekët këtu kanë bërë punë shumë të madhe me ekipin e vet dhe me ato mjete që patën. Ajo ishte një ngjarje shumë tronditëse, por në atë fatkeqësi, ju në radhë të parë dhe më pas, të gjitha institucionet, reaguan me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe bënë që të shpëtohej ajo që mund të shpëtohej”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Berisha falënderon nga afër ekipin mjekësor, strukturat dhe qytetarët e
zonës për ndihmën e dhënë në aksidentin tragjik, në Himarë
0 comments:
Post a Comment