Është 18 vjeç, i pëlqen fotografia dhe moda. Pse mori pjesë në “Big Brother”? Për ta pasur më të lehtë rrugën drejt këtyre pasioneve. Ajo është Françeska Jaçe nga Vlora. Dhe pse hyri një javë me vonesë në atë shtëpi, arriti të shkojë deri në finale. Në fakt Françeska tregoi shumë gjëra në atë shtëpi. Hyri single dhe doli çift. Modelja u lidh me Ermalin, Misster Albania 2010. Gjatë qëndrimit në shtëpi për të u përfolën shumë gjëra, si lidhja me një biznesmen, apo një të dashur në burg… Jaçe i përgënjeshtron të gjitha në këtë intervistë për “Jetë” . “Mendoheni pak, jam vetëm 18 vjeç”- pohon ajo. Një javë pas daljes nga shtëpia, Françi, duke folur me gazetën "Shekulli" për gazetaren Entela Resuli rrëfehet:
Françeska, si po i jeton këto ditë pas daljes nga Big Brother?
Kam ndjekur edhe edicionet e tjera të “Big Brother” dhe pak a shumë e kam ditur se çfarë popullariteti fitohet pas këtij spektakli. Gjithsesi ajo që më kënaqi më tepër ishte reagimi pozitiv i njerëzve që janë jashtë edhe pse isha e sigurt për lojën që kisha bërë brenda shtëpisë.
Çfarë mendon se bëre gabim në ditët e para të qëndrimit?
Dy javët e para, mënyra se si u prezantova unë nuk kishte lidhje me muajt e fundit. Ka pasur shumë njerëz që dy javët e para më paragjykuan, por më pas ndryshuan mendje për mua dhe kjo më pëlqen.
Dy javët e para le përshtypjen e një vajze “mendjelehtë”. Pse mendon se ndryshuan mendje?
Realisht nuk e kuptoj, por ndoshta dy javët e para u paraqita si ajo femra me karakter të dobët, që bënte tipin e koketës, por më pas më forcoi loja. Ishte vetë loja që më bëri të zbuloja një karakter të fortë.
Kishit ju një strategji se si do të shkonte loja jote në “Big Brother”?
Gjatë lojës po, pra parashikoja çfarë do të ndodhte një ditë më vonë. Unë thjesht kam zgjedhur konkurrentët, me të cilët jam marrë dhe kam dashur të merren me mua. Thuajse për pjesën më të madhe të banorëve çështja e ditës ishte të merreshin me lidhjen time me Ermalin. Megjithatë, realisht që nuk kisha paramenduar asgjë që mund të ndodhte në “Big Brother” edhe për faktin se ishte e papritur për mua hyrja në “Big Brother”.
Pse e papritur?
Unë kisha aplikuar, por nuk besoja se do më merrnin. Ishte thjesht një aplikim i shpejtë.
E kishit menduar si strategji të lidheshe me një mashkull brenda shtëpisë?
Absolutisht jo, erdhi natyrshëm.
Ju e njihnit Ermalin përpara se të bëheshit pjesë e “Big Brother”?
Jo, nuk ishim takuar, thjesht e njihja për shkak se kishim të njëjtat interesa dhe kishim të bënim me të njëjtët njerëz, fotografë dhe njerëz që merreshin me modën. Më pëlqente si djalë i bukur, por në pamje të parë më dukej arrogant, Ermali ta jep këtë përshtypje. Kur fillova ta njihja e kuptova se ishte ndryshe nga sa kisha menduar.
Mendon se lidhja juaj do të zgjas?
Normalisht që kam shpresa, duke qenë se jemi takuar me familjet e njëri-tjetrit. Madje kemi qenë edhe në Vlorë me familjen time dhe kemi ngrënë një drekë të mrekullueshme. Ishte Ermali, shoqëria e tij dhe familja ime.
Si të priti familja e Ermalit?
Shumë mirë më kanë pritur. I kam takuar dhe jo vetëm mamin, babin dhe motrën e Ermalit, por të gjithë fisin e tij. Më pritën me dashamirësi dhe vetëm unaza më mungon (qesh). Unë nuk e di çfarë mund të jetë shkruar më parë, apo çfarë mund të kenë thënë, por me rëndësi është respekti që mora nga ata. Ishte ashtu siç unë e prisja, apo ashtu siç duhet të jetë në një lidhje. Normalisht që ne nuk jemi as të fejuar dhe as të martuar, thjesht kemi një lidhje dhe familjet e gjithsecilit nga ne po na respektojnë.
Si ishte jeta jote në Vlorë përpara se të bëheshe konkurrente e Big Brother 5?
Dy vitet e fundit pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar në Tiranë. Jeta ime ka qenë e thjeshtë, shkoja në shkollë, më pas në shtëpi, shihja telenovela, dilja me shoqërinë dhe kaq.
E lakmoje ti çmimin e madh, apo kishe ndonjë synim tjetër?
Synimi im konkret ishte normalisht paratë të parat, të gjithë i duan paratë. Nuk e kisha menduar se do krijoja një lidhje, por tani mund të them që nuk fitova, por gjeta dikë që mund të jetë njeriu i jetës sime. Është herët për ta thënë, por rëndësi ka që ndjehem mirë me atë njeri. Ka qenë fama normalisht ajo që doja të fitoja dhe ndikimi që do kishte në karrierën time. Ka qenë edhe përçimi i një mesazhi, që një 18-vjeçare mund t’i përballojë shumë mirë debatet me njerëzit. Opinioni i njerëzve ka qenë pozitiv dhe kjo më pëlqen.
Kur thua karrierë, çfarë do të thuash. Cili është profesioni që dëshiron të kesh?
Normalisht që dëshiroj të jem pjesë e televizioneve dhe e fotografive. Janë dy gjërat që më pëlqejnë më tepër të bëj në jetë.
Ndjeheshe mirë që kishe brenda shtëpisë një aleat të fortë dhe një mashkull që të kushtonte vëmendje?
Jo, absolutisht, pasi unë kisha lojën time dhe Ermali kishte lojën e tij. Nëse do të ishim të njëjtët, publiku nuk dëshiron dy kopje brenda shtëpisë.
Françeska, je lidhur shumë shpejt me Ermalin, saqë mund të krijonte përshtypjen tek publiku se ishe një vajzë e lehtë. E ke menduar këtë?
Kaluan dy javë përpara se të lidhesha me Ermalin. Ato dy javë kemi bërë thjesht një lojë për banorët e tjerë, veçanërisht për Liamin. Më vonë ishte diçka që ne ndjenim dhe thamë: “Pse jo!?”. Të rrish 24 orë me një njeri të duket sikur ato tre muaj janë tre vjet. Ka plot femra edhe jashtë që lidhen për dy ditë dhe jo për dy javë edhe kur nuk e ndjejnë. Nuk mund të sillemi ende sikur kemi mentalitetin e viteve ‘70. Këtë temë e kemi biseduar edhe me banorët e tjerë, që kanë qenë gjithmonë paragjykues.
Ke fituar miq në “Big Brother”?
Françeskën, Françeskën, Ermalin dhe Ermalin (qesh). Edhe me Erionin e Tatës kam relata të mira dhe me Arbrin gjithashtu. Që kur ka hyrë Arbri unë e kam shprehur që vdes për kosovarët, pasi kam qenë një javë atje dhe jam mrekulluar.
Cili është komenti juaj për fotot e Gentës, besoj se i keni parë?
I kam parë fotografitë, Genta është fotozhenike (qesh). Gjatë kohës që isha në shtëpi nuk dija asgjë për këtë temë, pasi Genta na i kishte shpjeguar ndryshe, por në fund të fundit është zgjedhja dhe mënyra e saj sesi e kërkon famën. Unë si femër nuk do ta bëja asnjëherë diçka të tillë, as nuk do ta bëj.
Mendon se mund t’i ketë publikuar vetë Genta ato foto, për të kërkuar famë?
Nuk e di, nuk kam biseduar me Gentën në lidhje me këtë temë. Është mënyra e saj. Ndoshta ajo i ka bërë në intimitet dhe i është bërë një padrejtësi, por është mënyra e saj. Mua nuk më pëlqeu realisht.
Keni bërë plane me Ermalin? Çfarë do të bëni tani që keni dalë?
Po, me Ermalin do të ikim me pushime sapo të marrim 3 mijë eurot që na premtoi produksioni (qesh). Do të shkojmë në Korfuz, sapo të gjejmë paratë.
Françeska është folur shumë jashtë për lidhjet e tua përpara, për një të dashur në burg, një biznesmen…
Unë kam pasur të dashur një biznesmen, një në burg, një nga Laçi, një nga Kruja etj.. E dini që unë jam 18 vjeç dhe sikur të kem dashur nuk kam pasur kohë dhe mundësi për të gjitha këto eksperienca? Është e vërtetë që kam një të dashur biznesmen dhe ai është babi im që m’i plotëson të gjitha.
Për të dashurin që ka qenë në burg ke diskutuar edhe ti brenda shtëpisë së “Big Brother”. Ekziston, apo jo një raport i tillë?
Jo, nuk ekziston. Kam folur, sepse ishte një lajm që ma dha Gerta dhe unë e kam thënë për lojë. Nuk ekziston as djali nga Laçi dhe askush tjetër.
0 comments:
Post a Comment