Saturday 2 June 2012

Thaçi takon Rona Nishliun

Thaçi takon Rona Nishliun  

Kryeministri i Hashim Thaçi ka pritur këngëtaren Rona Nishliu. Sic shkruhet në komunikatën për shtyp të zyrës së kryeministrit Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shprehu këngëtares urimet për suksesin dhe përfaqësimin dinjitoz të vlerave të Kosovës nën flamurin kombëtar shqiptar në festivalin e Këngës Europiane - Eurovizion 2012.

“Me interpretimin tuaj të veçantë dhe shumë profesional, me emocionet prej një artisteje të vërtetë, treguat cilësi kulmore duke u vlerësuar lartë prej publikut europian dhe prej profesionistëve europianë të muzikës” u shpreh kryeministri Thaçi.

Sipas Thaçit, suksesi i Ronës në skenën e Eurovizionit është dëshmia më e mirë që të rinjtë e Kosovës kanë vlera dhe potencial të madh në të gjitha fushat, posaçërisht në kulturë, art, shkencë dhe sport.

“Ju me performancën tuaj muzikore përfaqësuat në mënyrën më të mirë të mundshme, Europianët e rinj, prezantuat vlerat europiane të shtetit demokratik të Kosovës”, tha kryeministri Hashim Thaçi në takimin me këngëtaren kosovare, Rona Nishliu, njofton komunikata per shtyp.

Kryeministri premtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur dhe po punon fuqishëm që në një periudhë të afërt të rinjtë  e Kosoves të kenë mundësi të përfaqësojnë Republikën e Kosovës në gara të ndryshme në botë.

Nga ana e saj, këngëtarja Rona Nishliu falënderoi kryeministrin Thaçi për mbështetjen e treguar dhe u shpreh e inkurajuar nga përkushtimi dhe vizioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar angazhimet në krijimin e mundësive që edhe artistët kosovarë në mënyrë zyrtare të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në festivale të ndryshme ndërkombëtare.

0 comments:

Post a Comment